Bruklini humb “pjesët”, Miluoki dhe Antetokumbo barazojnë llogaritë!

U tha se dëmtimi i Xhejms Hardenit mund t’ia ndryshonte fatin kësaj përballjeje. Kjo nuk ndodhi shumë dhe Bruklini e përballoi mirë Miluokin edhe pa njërin nga yjet, veçse kur dëmtohet edhe Kajri Irving, punët janë pisk. Në Arenën e Miluokit, Janis Antetokumbo dhe shokët e tij nuk patën nevojë për “dhurata” të tjera, dhe menjëherë e shfrytëzuan fatin që u erdhi në derë. Irving doli nga loja në minutën e 18-të, dhe pas atij momenti ndeshja u përmbys. Bruklini e kishte nisur më mirë, por pastaj vendasit kaluan në epërsi dhe fituan 107-96. Ishte fitorja e dytë radhazi, më komode sesa 86-83 e ndeshjes së kaluar, por rezultati tashmë është barazuar në 2-2 dhe sfida e radhës luhet në Nju Jork.

Duhet pritur se çdo të ndodhë me Irvingun, i cili jepet në dyshim për të luajtur në ndeshjen e pestë. Edhe Harden nuk është i sigurt, ndonëse mund ta ketë një shans. Antetokumbo shënoi 34 pikë dhe kapi 12 topa në tabela, duke shtuar 3 asistë. Midëlton shtoi 19 pikë dhe 8 asistë, Taker pati 13 pikë e 7 topa në tabela, Bruk Lopez vetëm 6 pikë, por 11 topa në tabela dhe Holidei 14 pikë e 9 asistë. Kevin Durant udhëhoqi Bruklinin me 28 pikë, 13 topa në tabela e 5 asistë, por gaboi shumë për tri pikë (1-8). Irving, ndërkaq, shënoi 11 pikë në 17 minuta e 17 sekonda në fushë.

Sfidanti.al