Është apo jo racist Arnautoviçi? Tani që kërkoi falje s’ia vlen të diskutohet!

Në një moment të nxehtë të ndeshjes mes Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut pati një përplasje mes dy lojtarëve, njëri prej të cilëve qëlloi me prejardhje serbe, dhe tjetri me origjinë shqiptare. Marko Arnautoviç dhe Ezgjan Alioski ishin ata që u “kërleshën” me fjalë, dhe austriaku me origjinë serbe reagoi pasi shënoi golin e tretë të ekipit të tij. Ai lëshoi një sharje për nënën shqiptare (të Alioskit, natyrshëm), thënë në gjuhën serbe, në gjuhën e babait të tij, ndërsa kapiteni austriak, David Alaba, menjëherë i mbajti gojën që të mos fliste. Kaluan disa orë pas përfundimit të ndeshjes, dhe sulmuesi 32-vjeçar besohet se e kuptoi se e kishte shkelur, ndaj kërkoi falje publikisht në rrjetet sociale. Ai deklaroi se nuk është racist, se ka miq në shumë vende të Europës, ndërsa fjalën “më falni” e shkroi në anglisht, në maqedonisht dhe në shqip. Është apo nuk është Arnautoviçi racist, kjo nuk mund të thuhet me saktësi, por tani që ai ka kërkuar falje çështjes i vihet kapak.

Sfidanti.al