Briken Calja ishte një nga tre shpresat e mëdha të Shqipërisë për të dalë me medalje nga Botërori i Peshëngritjes që po zhvillohet në Bahrejn. Fati nuk ishte me Brikenin pasi peshëngritësi kuqezi “flirtoi” me medaljen në stilin e shkëputjes, ku me 153 kg e mbylli këtë stil në vendin e katërt, vetëm një 1 kg larg zonës së medaljes. Calja tentoi në dy provat e para me 152 kg, por pa sukses. Në provën e tretë, Calja e dërgoi shtangën në 153 kg duke arritur ta mbajë lart. Festa ishte e madhe pasi në çdo rast, të dalësh i katërti në Botë nuk është pak. Në shtytje, Briken Calja nuk arriti të kalonte asnjë nga tre provat, ku tentoi deri në 183 kg, por pa sukses. Për fat të keq, Calja nuk arriti të kualifikohet në dygarësh, por largohet nga ky Botëror me kokën lart dhe me shumë mllef pasi menjëherë “shpërtheu” me anë të një statusi në rrjetet e tij sociale:
“Është e trishtë të shohësh që përpjekja dhe djersa e një sportisti minimizohen kaq lehtë nga disa persona. Vendi i 4-t në botë në shkëputje është rezultat i një pune të palodhur, sakrificave të pafundme dhe pasionit për sportin. Le të mos harrojmë se bota numëron 8 miliardë njerëz, dhe të jesh mes më të mirëve nuk është kurrë dështim. Për ata që e quajnë këtë një dështim, ju ftoj të ecni në rrugën time qoftë edhe për një ditë”.
sfidanti.al