Bolti nuk është zemëruar me Karterin…

Vrapuesi më i shpejtë në botë, Usain Bolt, thotë se nuk është i zemëruar me bashkatdhetarin e tij, Nesta Karter, për shkak të të cilit ai mbeti pa një medalje ari olimpike. Ky sprinter xhamajkan ka qenë mjaft krenar për suksesin e tij “tripëll-tripëll”, të arritur në Lojrat Olimpike Verore, dhe nëntë medaljet e arta që ai ka fituar në 100 m, 200 m dhe stafetën 4×100 m. Sidoqoftë, së fundmi, jo për fajin e tij, ai mbeti pa një medalje të artë, pasi bashkatdhetari i tij, Nesta Karter, doli pozitiv në testin e dopingut dhe, kështu, Xhamajkës iu hoq medalja e artë që ajo fitoi në stafetën 4×100 m në Lojrat Olimpike 2008 të Pekinit.

“Nuk kam folur me të, por, mëgjithatë, nuk jam i zemëruar me të. Thjesht, gjëra të tilla ndodhin në jetë”, tha Bolti duke shtuar se, në fakt, ai nuk kishte gjetur kohë që të takohej me Karterin, të bisedonte dhe të mësonte se çfarë kishte ndodhur me të vërtetë. “Pa u takuar me të, unë nuk mund t’ju them, nëse ajo që ka bërë ai, ishte e qëllimshme apo bëhet fjalë për ndonjë gabim ose, nëse unë duhet që të zemërohem”, vuri në dukje Usain Bolti.

sfidanti.al