Beteja Japoni-SHBA për Olimpiadën, shtyrja mund të jetë 2 vjet!

Diskutimi mbetet gjithnjë i njëjti, pavarësisht nëse flet Donald Trampi, apo ministrja olimpike japoneze. Lojrat Olimpike të Tokios, të parashikuara këtë verë, mund të rrezikohen seriozisht dhe shtyrja të jetë e madhe. Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se “është shumë e mundshme që të mos kemi Lojra Olimpiek pa njerëz”, duke kërkuar një shtyrje 1-vjeçare, ndërsa ministrja olimpike japoneze, Seiko Hashimoto, u përgjigj duke thënë se do të respektohet kalendari, madje do të jetë edhe me spektatorë. “Askush nuk ka menduar për një shtyrje apo anulim të Lojrave, – u shpreh ajo, – as Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, as Komiteti Organizator”.

Gjithsesi, vetë kreu i Komitetit Organizator, Harujuki Takahashi, pranon se mund të ketë ndryshime. “Mundësia më e mirë, nëse ndodh shtyrja, është që të zhvillohen në verë pa dy vjetësh, pasi është brenda hapësirave të aktiviteteve të tjera ndërkombëtare”. Olimpiadat kanë vuajtur edhe më parë nga shtyrjet dhe anulimet, siç ndodhi në 1916, kur ishte Lufta e Parë Botërore, apo në 1940 e 1944, kur ishte Lufta e Dytë Botërore. Në 1940, do të ishte pikërisht Tokio që do të organizonte Lojrat.

Sfidanti.al