Emrat janë sugjestionues edhe kur je mësuar me Muhamed Aliun dhe Xhorxh Foremanin. Një revansh i madh pritet të ndodhë në boksin profesionist. Jo më, në peshat e rënda, që papritur kanë humbur tërheqjen e dikurshme kur Majk Tajson, Evander Holifildi, Lenoks Ljuisi dhe pastaj vëllezërit Kliçko dominonin. Fjala është për peshat e mesme, ku Flojd Mejuedhër Xhunior dhe Manu Pakiao mund të ndeshen për së dyti.
Mejuedhëri 39-vjeçar ishte në mes spektatorëve në ndeshjen e pak ditëve më parë që Pakiao fitoi me Xhesi Vargasin për titullin kampion të botës në federatën WBO. Filipinasi fitoi dhe një nga promotorët më të mëdhenj të boksit sot për sot, Bob Arum, thotë se revanshi i përballjes së parë ka 75 për qind mundësi që të ndodhë. Mejuedhër dhe Pakiao u ndeshën në maj të këtij viti dhe amerikani fitoi me pikë. Më pas, ai e mbylli karrierën me fitoren ndaj Andre Bertos, me bilancin 39 ndeshje, 39 fitore, 0 humbje, 0 barazime.
Të shikojmë nëse kjo superndeshje mund të luhet përsëri. E para gjeneroi rreth 400 milionë dollarë, me 4.4 milionë njerëz që blenë abonimin për ta parë ndeshjen me pagesë, dhe 72 milionë dollarë që u fituan nga shitja e më shumë se 16 000 biletave. Mejuedhëri fitoi më shumë dhe do të ketë sërish pjesën e luanit. Jo më kot quhet “Paraja”!
B. Kuka