Legjenda gjermane e tenisit, Boris Becker, sot 57 vjeç dhe fitues i gjashtë turneve Grand Slam, është rikthyer për të folur për njërën nga periudhat më të vështira të jetës së tij: qëndrimin në burg në vitin 2022, pas dënimit për fshehje pasurie dhe mashtrim financiar.
Ish-kampioni i Wimbledon-it dhe i shumë titujve të tjerë, u dënua me dy vjet e gjysmë burg për mosdeklarimin e pasurisë dhe për përpjekjen për të shmangur pagesën e borxheve, pasi kishte marrë një kredi prej 3 milionë paundësh britanikë nga një bankë private dhe kishte shpallur faliment personal. U zbulua se Becker kishte fshehur më shumë se 2.5 milionë paundë për të shmangur likuidimin e detyrimeve të tij. Ai qëndroi tetë muaj pas hekurave, përpara se të lirohej me kusht.
Në një intervistë për gazetën spanjolle ‘El Mundo’, Becker foli me një ton reflektues për këtë periudhë:
“Është një kohë për të cilën nuk më pëlqen të flas në detaje. Kam ndier frikë, kam paguar për gabimet e mia, por kam mësuar më shumë nga humbjet sesa nga fitoret — kjo më ka ndodhur në tenis dhe në jetë. Edhe në burg. Kur ke aq shumë sukses sa unë, fillon të mendosh se gjithçka do të shkojë mirë gjithmonë, se je i pathyeshëm.”
Becker pranoi se përvoja e tij në burg e ndihmoi të kuptonte realitetin e ashpër që shumë të tjerë përjetojnë çdo ditë:
“Duhej të mësoja se shumica e njerëzve nuk fitojnë gjithmonë, se jeta është e vështirë. Një disfatë si ajo e burgut ishte një alarm për të më bërë të ndryshoj. Më bëri një njeri shumë më të mirë.”
Sot, tri vite pas arrestimit, ish-tenisti gjerman deklaron se është në paqe me veten:
“E kam jetuar si një makth, por tani jam i qetë. Nuk jetoj më në të kaluarën. As fitoret dhe as humbjet e mia nuk kanë më shumë rëndësi sot. Jetojmë në vitin 2025 dhe nuk humbas kohë duke parë ndeshje të vjetra. Edhe kur fansat apo gazetarët më pyesin për ndonjë finale, ndonjëherë nuk i kujtoj.”
Për Boris Becker, jeta pas tenisit nuk ka qenë aspak e lehtë:
“Ishte e vështirë të gjeja vendin tim në jetë pas përfundimit të karrierës. Kam bërë gabime, kam kaluar momente të vështira, por tani jam i lumtur. Dua të flas vetëm për të tashmen dhe të ardhmen.”
Boris Becker është një nga figurat më të rëndësishme të historisë së sportit të bardhë, me 49 tituj individualë në karrierë, përfshirë tre Wimbledon, dy Australian Open dhe një US Open, si dhe medaljen e artë olimpike në dyshe në vitin 1992 në Barcelonë. Sot, ai kërkon paqe dhe rilindje, pas një jete me lavdi, rënie dhe ringritje.
sfidanti.al