Anglia dhe Skocia ndalojnë aktivizimin e transgjinoreve

Një vendim i rëndësishëm dhe njëkohësisht i debatueshëm ka ardhur nga federatat e futbollit të Anglisë dhe Skocisë: nga 1 qershori 2025, gratë transgjinore nuk do të lejohen më të marrin pjesë në kampionatet zyrtare të futbollit për femra në të dy vendet. Ky ndryshim vjen si pasojë direkte e një vendimi të fundit të Gjykatës së Lartë Britanike, e cila ka sanksionuar se përkufizimi ligjor i “gruas” bazohet vetëm mbi seksin biologjik dhe jo mbi identitetin gjinor.

Duke u mbështetur në këtë precedent ligjor, autoritetet që rregullojnë futbollin në ishull kanë vendosur të ashpërsojnë kriteret e pranimit në garat femërore, duke përjashtuar transgjinoret që janë lindur me seks mashkull, edhe nëse kanë ndërruar gjini dhe identitet ligjor. Në një deklaratë zyrtare, Federata Angleze e Futbollit (FA) thekson:

“Bëhet fjalë për një temë jashtëzakonisht komplekse. Qëndrimi ynë ka qenë gjithnjë i njëjtë: përballë çdo ndryshimi në ligj, në shkencë apo në mënyrën sesi funksionojnë rregullat në futbollin amator, ne jemi të hapur për t’i rishikuar ato, nëse është e nevojshme. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që përjetojnë ata persona që thjesht duan të luajnë lojën që duan në gjininë me të cilën identifikohen.”

Ky vendim ka ngjallur menjëherë debat të fortë, si në rrafshin sportiv ashtu edhe në atë shoqëror dhe ligjor. Aktivistët për të drejtat e personave LGBTQ+ e kanë cilësuar masën si përjashtuese dhe diskriminuese, ndërsa përkrahësit e vendimit e shohin atë si të nevojshëm për të mbrojtur drejtësinë dhe barazinë në garë, bazuar në dallimet biologjike mes gjinive. Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet debati në nivel ndërkombëtar, pasi shumë federata janë ende në proces rishikimi të politikave të tyre për pjesëmarrjen e sportistëve transgjinorë në garat e ndara sipas gjinisë.

sfidanti.al