Basketboll, SHBA humbet pjesët, tërhiqen edhe Gordon e MekKolum

Skuadra amerikane e basketbollit vijon të humbasë pjesët e saj në prag të botërorit të Kinës. Fillimisht ishte Entoni Dejvis ai që vendosi të braktisë skuadrën kampione të botës për këtë eveniment, më pas radha i erdhi Xhejms Harden. Këtyre dy basketbollistëve, në orët e fundit iu bashkuan edhe Erik Gordon dhe CJ Mekkolum.

Dhe e gjithë kjo ndodh vetëm 3 javë para nisjes së kampit të trajningut në Las Vegas e parashikuar të nisë në datën 5 gusht. Erik Gordon vendosi të ndjekë shembullin e Harden me yllin e Hjustonit duke preferuar përgatitjen për sezonin e ri sesa të fitojë një vend për në Botërorin e Kinës. E njëjta histori edhe për CJ Mekkolum i cili sapo është kthyer në SHBA pas një udhëtimi 1 mujor në Kinë për arsye promovimi.

Në një situatë të tillë duket se rolin e liderit do ta marrë Damian Lilard i Portland i cili ka vendosur të mos tërhiqet, ndërkohë që trajneri Greg Popovic do të duhet të monitorojë edhe situatën e Kajl Lourit që së fundmi është operuar në gishtin e madh të dorës së djathtë që e dëmtoi gjatë fazës së playoffit.

sfidanti.al