Basket, dënimi më i ashpër në histori për Crvena Zvezdën

Në një kohë që tifozët janë të lumtur për titullin kampion në “ABA Liga” në basketboll, po ashtu edhe për titullin e pritshëm në Superligën e futbollit të Serbisë, klubi i Crvena Zvezdës merr një dënim të rëndë. Kjo, pas ndeshjes së pestë finale në “ABA Ligë” (Liga e Adriatikut) ndaj Buduçnostit të Podgoricës, luajtur në Sallën “Aleksandar Nikoliç” në Beograd.

Gazeta kroate Jutarnji List shkruan se gjyqtari i disiplinës sportive, Sasha Pavliçiç Bekiç, i dha klubit të basketbollit të Zvezdës dënimin më të ashpër në historinë e Ligës së Adriatikut. Skuadra beogradase do të duhet të luajë pa tifozë dy ndeshjet e para të sezonit të ardhshëm, dhe po ashtu në tri takimet në vazhdim, në Sallën “Aleksandar Nikoliç” do të lejohen vetëm gratë dhe fëmijët deri në moshën 14 vjeç. Po ashtu, ka edhe gjobë prej 35 000 eurosh, që është më e madhja në historinë e ligës.

Ky dënim (që nuk duket shumë i ashpër për standardet e Superligës shqiptare të futbollit) erdhi pasi disa tifozë të Zvezdës hynë në parket dhe goditën me sende të ndryshme lojtarë të Buduçnostit. Kjo, padyshim që ndikoi në humbjen e skuadrës malazeze me 43 pikë diferencë, ndonëse duhet thënë se Crvena Zvezda pati epërsi të madhe dhe e meritoi titullin kampion në ligën që i ngjan asaj të ish-Jugosllavisë. Kampionia serbe do të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në Euroligë, pikërisht në vend të Buduçnostit, që mori pjesë këtë edicion, pasi fitoi vjet titullin në “Aba Ligë”.

Sfidanti.al