Kur një trajner është shumë inteligjent, tepër ambicioz dhe me karakter të fortë për të mos u dorëzuar kurrë, por aq nervoz dhe i paekulibruar saqë të kalojë cakun me lojtarët e tij, herët a vonë, do të vijë rënia. Këtë po e provon kohët e fundit Zhoze Murinjo, që ka fituar vetëm 1 titull kampion që pas vitit 2012 (me Çelsin në 2015), dhe një ish-lojtar i tiji, Emanuel Adebajor, tregon një moment që shpjegon shumë.
Ishin ditët e Murinjos tek Reali, ku ai shkoi pasi fitoi “tripletën” me Interin, duke u vlerësuar në atë kohë si trajneri më i mirë në botë, dhe si një personalitet nga më të mëdhenjtë në planet. “Në pushimin e një ndeshjeje, ndërsa ne po kryesonim 3-0, dhe Kristiano Ronaldo kishte shënuar 3 gola, – kujton Adebajori, – Murinjo hyri në dhomën e zhveshjes, dhe kaloi në çmenduri. Ai goditi frigoriferin, goditi televizorin dhe hodhi tek një shishe me ujë, që u derdh diku në një cep. Ai iu vërsul Kristiano Ronaldos, ndonëse ai kishte shënuar 3 gola, duke e sulmuar se përse kishte humbur një rast të pastër”.
Sipas fjalëve të Adebajorit, Murinjo i sfidoi lojtarët e tij me fjalët se “gjithkush thotë se ju jeni më të mirët në botë, por ju po luani keq, më tregoni që jeni më të mirët”. Natyrisht, skena të tilla krijuan probleme aq sa personalitetet tek Reali si Kasijas, Ramos dhe Ronaldo nisën të armiqësoheshin me trajnerin, derisa u krijua kriza e harmonisë në skuadër, pra edhe dështimi në fushën e lojës, shoqëruar me largimin e pashmangshëm të Murinjos.
Me kalimin e viteve, portugezi i shpenzoi “kreditet” e tij, dhe bëri gjithnjë e më shumë armiq, ndoshta edhe për shkak se “kulti për vetveten” u rrit shumë brenda tij. Sot, padyshim ai mbetet një nga trajnerët më fitues në botë, veçse kriza e fundit tek Mançester Junajtidi ia ka bërë më të vështirë që të gjejë një tjetër skuadër të madhe për të drejtuar.
Sfidanti.al