Kreun e renditjes e ndan me një superfuqi si CSKA-ja e Moskës, por gjithsesi është në sezonin më të mirë prej shumë kohësh. Barcelona e futbollit mund të mësojë nga Barcelona e basketbollit që është e para në Euroligë këtë vit, dhe ka 11 fitore e vetëm 3 humbje. Suksesi këtë mesjavë ndaj Himkit të Moskës me shifrat 87-74 ishte një vazhdimësi dhe lideri i ekipit ishte Nikola Mirotiç. Ish-lojtari i NBA-së shënoi 24 pikë, ish-lojtari i CSKA-së Kori Higins shtoi 20, ndërsa Nik Kalathes dha 13 asistë, një shifër shumë e lartë për Euroligën. Për Himkin, ylli kryesor Aleksei Shved shënoi 22 pikë. Mirotiç ishte tepër i saktë, duke realizuar 7 nga 8 gjuajtjet për 2 pikë, tre nga katër gjuajtjet për tri pikë dhe të 4 gjuajtjet e lira. Ai kapi 4 topa në tabela, 1 asist, 2 vjedhje topi dhe ndaj tij u shkaktuan 7 faulla. Në Euroligë, Reali i Madridit është prapa Barcelonës, në vend të tretë me bilancin 9 fitore e 5 humbje.
Sfidanti.al