Barça e koshit ka nisur kthesën, mund Realin në “El Klasiko”

Madridi është padyshim këtë vit, ekipi më i mirë i kontinentit të vjetër. Fitoi Euroligën dhe kampionatin spanjoll, por gjithsesi ka një rival që nuk e fal nëse është në formë. Barcelona ishte një “shkatërrim” sezonin e kaluar, por nën drejtimin e trajnerit ish-jugosllav, Svetislav Peshiç, kriza tashmë ka kaluar.

E tregoi në “El Klasikon” e luajtur këtë fundjavë në “El Palau Blaugrana”, duke shkatërruar Realin me shifrat 86-69, e duke kapur vendin e parë në renditje. Pa të dëmtuarin Jul dhe me amerikanin Randolf që doli nga loja për gabime personale, madrilenët nuk ishin ata të zakonshmit. Barça u udhëhoq nga Kajl Kuriç me 17 pikë, ndjekur nga Hanga me 12, Hërtel me 11 dhe amerikani Singëlton me 10 pikë.

Tashmë, skuadra e Peshiçit është ngjitur në vend të parë në ligën spanjolle me 9 fitore e vetëm 1 humbje, ndërsa Reali ka bilancin 8-2. Natyrisht, është tepër shpejt për të folur për titullin, por katalanasit janë shumë më të fortë.

Sfidanti.al