Njerëzit pëlqejnë konkurrencën, por ndodh që kjo të mos ndodhë. Duken të njëanshme finalet e plej ofit të Konferencës Lindore në NBA, pasi Miluoki ka marrë komandën ndaj Torontos. Jo thjesht sepse fitoi ndeshjen e dytë, duke udhëhequr 2-0 ndaj rivalit më të fortë lindor, por sidomos sepse duket se ka një marsh më shumë.
Dominimi ishte i dukshëm në duelin e fundit në Arenën e Miluokit, me shifrat 125-103, dhe me diferencë gjatë gjithë kohës. Janis Antetokumbo për momentin është figura kryesore e plej ofit në NBA, pavarësisht ndarjes gjeografike. Basketbollisti me origjinë afrikane dhe pasaportë greke po bëhet dalë nga dalë lideri i ri, simboli i ligës më të fortë të botës, një pasardhës i denjë i legjendave Majkëll Xhordan, Kobi Brajant apo Lebron Xhejms.
As edhe yjet e Golden Stejtit, Kërri e Durant, apo Leonardi i Torontos, nuk të ngjajnë sot aq të mëdhenj sa Antetokumbo. Ai shënoi 30 pikë, kapi 17 topa në tabela, shërbeu 5 pasime për kosh, vodhi 1 top dhe bllokoi 2 gjuajtje. Një paraqitje thuajse e përsosur, së cilës i duhet shtuar edhe frymëzimi në fushë për shokët e skuadrës, loja e fortë në mbrojtje, dhe hapësirat që krijoi në sulm për ta.
A mund të thuhet se diferenca ndaj Leonardit dhe yjeve të tjerë të Torontos, u bë thjesht nga lideri? Për fat, Antetokumbo ka në krah lojtarë të fortë, me Eljasovën që shënoi 17 pikë, Mirotiçin me 15 pikë, si dhe me mbështetje të fortë nga Brogdon, Hill, Midëllton apo Bledsou. Miluoki duket një ekip i kompletuar, që shihet si favorit ndaj Torontos, dhe që madje mund të konkurrojë denjësisht me Golden Stejtin, në një finale të mundshme për titullin në NBA.
Sfidanti.al