Quhet Andi Marrej dominuesi më i fundit i tenisit botëror. Britaniku do ta mbyllë vitin 2016 në vendin e parë të renditjes ATP, e para herë që ia del, dhe nuk mund të kishte Arenë më të mirë dhe kundërshtar më të përshtatshëm për këtë. Skocezi mposhti plotësisht rivalin e tij të madh, Novak Gjokoviç në ndeshjen fundore të “Finales së Turit Botëror” në Londër. Njëzetenëntë vjeçari i dha fund, të paktën për momentin, “mallkimit” pasi Gjokoviç kishte qenë gjithnjë njeriu që e kishte ndaluar për t’u bërë i madh.
Marrej triumfoi në dy sete, 6-3 e 6-4, pavarësisht se kishte qenë në fushë më shumë sesa serbi gjatë turneut londinez. Ishte ky një përfundim i përsosur i vitit, në të cilin britaniku fitoi 9 tituj, përfshi edhe Uimbëlldonin dhe Lojrat Olimpike. Andi bëhet i pari tenist që fiton dy medalje të arta olimpike radhazi, ndërsa tani ka 3 Grand Sleme, dy në Uimbëlldon dhe një në US Open.