Adetokumbo është kthyer, 41 pikë 17 topa në tabela në fitore!

Falë formës së tij, por edhe falë shokëve që e mbështetën, Miluoki Baks u kthye tek titulli në NBA pas shumë dekadash. Janis Adetokumbo nuk pati një fillim të mirë sezoni, pas triumfit të madh të verës, porse me kthimin e të dëmtuarve është kthyer edhe besimi dhe efikasiteti i tij. Edhe pse nuk është ende në krye të Konferencës Lindore, sërish ekipi kampion është i fortë dhe Adetokumbo dha një shfaqje të forcës së tij në fitoren 123-114 ndaj Hjustonit, madje në Teksas. Kapiteni shënoi 41 pikë e kapi 17 topa në tabela, dhe Miluoki i dha fund serisë prej 7 fitoresh radhazi të vendasve këtë sezon. Ai shërbeu edhe 5 asistë, vodhi 3 topa e bllokoi 2 gjuajtje. Midëlton e Portis shënuan nga 21 pikë, Konauton 16 dhe Holidei 12. “Unë doja vetëm që të isha agresiv, – tha Adetokumbo më pas, – nuk isha aq agresiv sa duhet në ndeshjen e kaluar”. Miluoki është në vend të tretë në Lindje me 17 fitore e 10 humbje, ndërsa Janisi është lojtari i dytë më i mirë i sezonit pas serbit Nikola Jokiç.

Sfidanti.al