Adetokumbo dëshiron që Miluoki ta dominojë sërish NBA-në

Këtë sezon ai është kthyer dhe bashkë me të edhe ekipi që fitoi titullin në 2021. Miluoki Baks arriti një tjetër fitore, jo edhe aq të lehtë ndaj Dallasit, dhe Janis Adetokumbo fitoi duelin e yjeve me Luka Donçiçin. Kapiteni i vendasve shënoi 30 pikë, kapi 11 topa në tabela e shërbeu 4 asistë, duke pasur edhe një vjedhje topi, ndonëse ai u ndihmua shumë nga shokët e ekipit. Alen shtoi 25 pikë, Bruk Lopez 13, Karter 14, Holidei 16 dhe Portis 15 pikë. Mungesa e një Kris Midëltoni apo edhe e Xho Iglesit dhe Serzh Ibakës nuk u ndje këtë herë në fitoren 124-115, kur Miluoki ishte gjithnjë në avantazh. Donçiç pati 27 pikë për Dallasin si dhe 5 topa në tabela e 12 asistë, por teksanët nuk patën forcën e duhur. Miluoki është i dyti në Lindje me 14 fitore e 5 humbje, i lënë pas vetëm nga Bostoni, ndërsa Dallasi ka zbritur në vend të 11-të në Perëndim me vetëm 9 fitore e 10 humbje.

Sfidanti.al