Pejiç: Kroacia ishte super, Franca dhe Brazili janë favoritë për Botërorin!

Në Shqipëri është i famshëm për golat e shënuar dhe për trofetë. Pero Pejiç padyshim mund të cilësohet si futbollisti i huaj më i mirë që ka luajtur ndonjëherë në vendin tonë, me mbi 170 rrjeta dhe me 4 tituj kampion, ndërsa flet që nga Kroacia për Kupën e Botës. Ish-sulmuesi dhe sot trajneri e drejtori teknik, u shpreh i lumtur për fitoren 4-1 të Kroacisë me Kanadanë. “Po po, ishte super, – tha ai, – E shkëlqyeshme. Ndeshja e parë nuk ishte e mirë sepse barazuam, por dje treguam se jemi ekip i mirë, që kemi karakter, dhe kemi luajtur më mirë pikërisht kur ka qenë më e vështirë, duke fituar 4-1, por ende nuk ka përfunduar asgjë”.

A mundet që Kroacia të arrijë në finale të Botërorit si në Rusi? “Do të jetë shumë e vështirë sepse 4-5 lojtarë që ishin në Rusi nuk luajnë më për kombëtaren. Manxhukiç, Rakitiç, Vida, – sqaron Pejiçi, – Po flasim për lojtarë të klasit botëror. Përsa më takon, si kroat do të doja që ta arrinim atë sukses, e gjithë Kroacia do të donte. Gjithsesi, të shohim. Në futboll asnjëherë nuk dihet. Tani jemi në rrugë të mbarë, nëse kalojmë Belgjikën, më pas gjithçka është e mundshme”.

Çfarë mendimi ka Pejiçi për fqinjën e tij, Serbinë, që barazoi 3-3 me Kamerunin? “Po, e ndoqa ndeshjen, – pohoi ai, – Ishte super ndeshje, me përmbysje nga Serbia dhe Kameruni. Për mua, ky rezultat nuk është i mirë as për Kamerunin dhe as për Serbinë, por kjo është një mundësi e madhe për Zvicrën. Zvicra, pas Brazilit, ka një përfaqësuese shumë të mirë dhe ka një shans që duhet ta shfrytëzojë”.

Cilët ekipe janë favorite sipas tij për të fituar Kupën e Botës? “Unë pëlqej shumë Spanjën sepse sipas mendimit tim luan futbollin më të mirë, por aty është Franca që ka një ekip të shkëlqyer, – arsyetoi kroati, – Po ashtu, një Brazil që është gjithmonë, si të themi, më i  miri. Për mua, Franca, Brazili dhe Spanja do të jenë 3 ekipet që do të luftojnë për titullin botëror”.

Sfidanti.al