A ka cak shkëlqimi i Donçiçit? Plot 39 pikë në 29 minuta dhe nota e rrallë +41!

A mundet që këtë vit ta arrijë triumfin e madh? Luka Donçiç po luan sezonin e katërt në NBA dhe duket në formën më të mirë që kur mbërriti nga Europa. Basketbollisti nga Sllovenia ishte i shkëlqyer në fitoren e Dallasit ndaj Portlendit, me shifrat 128-78, në ndeshjen e parafundit të edicionit të rregullt. Ylli 23-vjeçar shënoi 39 pikë në vetëm 29 minuta e gjysmë në parket. Ai shtoi 11 topa në tabela si dhe 7 asiste, duke pasur një mesatare mjaft të mirë nga loja, me 50 për qind në gjuajtjet për tri pikë. Donçiç shënoi 7 kosha nga largësia nga 14 prova. Për këtë paraqitje ai mori notën shumë të lartë, 41, më e mira e mbrëmjes në NBA, ndërsa është një nga katër lojtarët më të mirë të edicionit, menjëherë pas Nikola Jokiçit, Janis Adetokumbos dhe Zhoel Embijdit.

Gjithsesi, Donçiç u tregua nervoz duke u ankuar ndaj arbitrave për atë që e quajti një faull të padhënë kundër tij. Për këtë, mori faull teknik, i 16-ti këtë sezon dhe kjo do ta pengojë të luajë në ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt. Një minus i rëndësishëm për Dallasin që synon të arrijë vendin e tretë në Konferencën Perëndimore. Asistet e Donçiçit ndihmuan lojtarët e tjerë të shënonin, sidomos basketbollistin qendër Duajt Pauell që pati 18 pikë.

Sfidanti.al