Më në fund vjen koha për të thënë mjaft. Tim Dankan është tërhequr nga basketbolli i luajtur, kur i ka kaluar 40 vjeç (saktësisht është i datëlindjes 25 prill 1976). Flitet për një nga gjigandët e basketbollit amerikan, që ia kushtoi të gjithë karierën e tij 19 vjeçare në parket, San Antonio Spurs. Dhe gjatë kësaj periudhe ka fituar pothuajse gjithçka, në nivelin më të lartë të lojës së koshit.
Tim Dankan është pesë herë kampion në NBA, dy herë i zgjedhur MVP (Lojtari më i vlefshëm), si dhe 15 herë është përzgjedhur në skuadrën e yjeve të NBA-së. Në muzeun e tij madhështor të trofeve, basketbollisti që shënoi gjithsej 26.496 pikë, mori 15.091 ribaund dhe dha 4.225 asiste, mungon vetëm medalja e arit në Olimpiadë, pasi ka arritur vetëm tek bronzi, në Athinë 2004.