Sa herë që presidenti Duka shfaqet në ekran, shfaqja siguron aq shumë tifozë, sa biletat mund të shiten edhe në tregun e zi. Si një mesfushor i zoti, tani në kohën e lulëzimit të stadiumeve, presidenti e zgjedh “fushën” ku do të luajë. Kështu ndodhi edhe në shfaqjen e tij të fundit, një javë më parë. Dhe sipas zakonit të vjetër, i pushtuar nga dëshira për të bërë mësuesin e madh të lojës, “mbledh” gazetarët në një klasë dhe fillon nga notat. Një provim që është bërë shpesh në 4 mandatet e shefit, por, përtej notave, kupton dëshirën e fshehur për të komanduar edhe lojën e medias. Askush nuk e mohon faktin se pushteti i tij ndihet i fabrikuar edhe në lojën e medias, por “nxënësit e këqinj” e shqetësojnë dominimin despotik. Sidomos pyetja për trukimin e ndeshjeve dhe prania në “burgun europian” e kampionëve tanë.
Një përgjigje e Dukës, gjatë intervistës së fundit me Xhaxhiun, ka bërë xhiro në mjediset e futbollit, më shumë si një autogol special, sesa një argument mbrojtës: “ 90 përqind e ndeshjeve të Skënderbeut nuk janë trukuar!” Në ato momente, cili e ka degjuar, ka pyetur me habi: “ Po 10 përqind e ndeshjeve, të duken pak.. zoti president?” Duket si një gafë spektakolare e shefit , i cili ra në kurthin e përqindjeve, por do të ishte me zarar sikur UEFA të dëgjonte fjalët e tij. Edhe pse kanë vënë dorën në zemër, shpeshherë, për futbollin shqiptar, edhe më naivi e kupton se jemi futur në harkun e shinjestrës. Që do të thotë se, që të mos kthehemi prapë në “burgun” europian të futbollit, ndeshjeve do t’u kthejmë besueshmërinë, dhe jo të lodrojmë me shifrat e përqindjeve.
Gëzim Sinemati