Viti 2026, konfirmim i sulltanatit

Gjatë 12 muajve të ardhshëm do të kemi një drejtues të “ri”, me mandatin e radhës në duar: të gjashtin për Armand Dukën. Duhet thënë, sa për kortezi dhe respekt institucional, kjo pasi gara do të jetë e “hapur”, me kutitë e mbyllura tashmë.

Në mandatin e pestë, presidenti aktual i FSHF-së kaloi jo pak siklete, sepse ishte pikërisht politika që ia komplikoi dhe më pas çkomplikoi situatën, ndërsa sot rruga duket më e shtruar se kurrë për një raund tjetër të “dorës në allçi”.

Nëse do të hidhnim fall sot, me siguri do të ishim shumë të suksesshëm në parashikim dhe, në teori, do të cilësoheshim fallxhorë brilantë. Me siguri është vetëm çështje kohe që koha të na japë të drejtë.

Pas votimit për të mandatuarin e radhës në postin që tashmë është vëllazëruar me termin “pronë private”, do të vijnë nga pas edhe shifrat e rekordeve të presidentit tonë tashmë 23+ vjeçar në krye të FSHF-së.

Me një llogari të thjeshtë, Duka do ta drejtojë minimalisht për 28 vite FSHF-në dhe rekordi botëror do të jetë shumë pranë, duke llogaritur se më jetëgjati në një post homolog është Ángel María Villar, i cili në Spanjë “mbretëroi” për plot 29 vite.

Rekordin absolut e mban sulltani malajzian Sultan Ahmad Shah, me 30 vite, dhe sipas të gjitha gjasave, rekordin do ta thyejmë. Por deri në zgjedhjet e vitit 2030 kemi ende disa vite përpara dhe, për momentin, le ta shijojmë statusin e Armand Dukës si presidenti më jetëgjatë i një federate ende aktiv në kontinentin europian.

Sot ai është dhe do të vazhdojë të jetë një rast unik, pasi statuti dhe rregullat e lojës janë të qarta si drita e diellit. Sulltanati (jo ai malajzian) po konsolidohet…

sfidanti.al