Vazhdon ironia me Flamurtarin, tani simboli i dikurshëm vlen 13 herë më pak se Oriku

Tashmë nuk kanë mbetur më as fjalë të shumta, për të përshkruar këtë që po i ndodh Flamurtarit dhe ndoshta mund ta qetësosh disi veten, duke belbëzuar: “Ky është thjesht mëkat”. Pikërisht në Vlorë, ku ka dhuruar aq shumë kënaqësi dhe  ka bërë aq shumë krenarë, prej kohësh kanë nisur një testim, për të kuptuar se sa kohë kërkon monumenti i një simboli të rënohet deri në themel, deri sa të mbetet një grumbull mbeturinash dhe kalimtarët të mos e kujtojnë më fare madhështinë e dikurshme. Skuadra që ka lënë ende në qytet krenarinë e përballjeve me Barcelonën dhe Partizanin e Beogradit, prej kohësh keqtrajtohet, si të ishte pjellë e një historie periferike, ndërsa tashmë duket se disave u ka shkuar mendja edhe të tallen.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, u caktua edhe buxheti vjetor i klubit të tyre të futbollit, që do të jetë vetëm 10 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që për ironi, po në atë mbledhje, u vendos që klubi i Orikumit të përfitonte një fond, ekzaktësisht 13 herë më të madh se Flamurtari. Ndërkohë që arsyetimi i shifrave ishte edhe më ironik, pasi thuhej që klubi i Vlorës financohet nga një kompani private. Pra ndërkohë që prej kohësh kërkohej një reagim nga titullari i Bashkisë, për të frenuar këtë degradim të një prej aseteve të qytetit, ai dhe këshilltarët e tij duket se prej kohësh paskan jetuar në një tjetër planet dhe nuk i ka mbërritur në vesh, që Flamurtari prej kohësh nuk paguhet nga asnjë kompani dhe kjo është arsyeja kryesore pse ndodhet në këtë gjendje. Këta ironikët, as që e paskan vlerësuar qoftë edhe shpirtërisht, regresin e frikshëm të skuadrës, që nga premtimet e mëdha dhe deri tek eksodi masiv… Por kjo kohë kështu është, i ka deformuar shijet e njerëzve. Simbolet e vërteta nuk kanë më vlerë, ndërkohë që në të njëjtën kohë nderohen simbole të pavlera.