Titulli i Partizanit, deliri i tifozëve dhe hallet e përditshme!

Entuziazmi është në kupë të qiellit, dhe është plotësisht i ligjshëm e i kuptueshëm. Tifozët janë në një festë që e prisnin prej më shumë se çerek shekulli, ndërsa Partizani u shpall kampion i Shqipërisë në futboll. U kujtuan edhe ata që nuk janë më, dhe nuk e panë ëndrrën që të realizohej, ndërsa dikush mori leje nga burgu, dhe ia dhanë me të dyja duart, për të mos humbur rastin e madh.

Shumë mirë deri këtu, madje edhe unë që nuk jam tifoz, bëra një urim në FB për Partizanin dhe për trajnerin e respektuar, si dhe njeriun e mrekullueshëm Skënder Gega. Mora shumë pëlqime për atë urim. Një ditë më vonë, ndodhi që mbetëm pa ujë të rrjedhshëm, dhe jo vetëm pallati ynë, por e gjithë lagjja. Hodha një tjetër tekst në FB për këtë problem të madh, dhe pashë se numri i pëlqimeve ishte shumë më i vogël sesa ai për titullin e Partizanit.

Të dashur tifozë dhe qytetarë, që në fillimet e tij, për futbollin është thënë se “është gjëja më e rëndësishme, nga gjërat e parëndësishme”, shkurt është punë qejfi. Nëse do të kemi edhe për hallet e përditshme, të paktën të njëjtin ndërgjegjësim si për skuadrën e zemrës në futboll, jam i bindur se Shqipëria do të ishte shumë më e mirë.

Sfidanti.al