Skenar për t’u patur zili nga ata që në emër të futbollit luftojnë vetë ..futbollin! Një javë më parë, në Vlorë kanë hapur shampanjën mu tek pika e bardhë e penalltisë, kur si rrufe në qiell të pastër, iu dhurua një penallti në frymën e fundit të ndeshjes. Ishte minuta e fundit , tamam kundër Partizanit, dhe tifozët vlonjatë shikonin me habi njëri- tjetrin sikur të kishte ndodhur një mrekulli që pritej prej kohësh.. Dikush, në ato momente, kishte brofur me zë të lartë “ Rroftë Asambleja”, duke shpresuar se këto ditë do të kishte penallti për të gjithë dhe lumturia do të kishte valën..11 metra. Një tjetër kishte hedhur helmin e njohur vlonjat : “ Mos kujtoni se na duan ne, kjo penallti nuk është dashuri e lindur, por urrejtje për Partizanin”. Pak ditë u deshën për ta vërtetuar. Ajo që ndodhi në ndeshjen me Kukësin, një penallti nga ato që arbitri Hamiti, apo sido që ta ketë emrin, pikasi “kontaktin elektrik” mes dorës dhe topit,por më tej.. ka zbuluar skenarët që lidhin javët . Flamurtarit ia dhanë, për t’ia marrë ndeshjen me Kukësin. Të shkretët , e dinin sikur shefat janë turrur me kokë tek pazaret e blerjes votës, por harrojmë se qejfi më i madh, orgazma klasike, është kur gatuajnë çorbën e kampionatit.
Thërret me zë të lartë për arbitra kamikazë, trajneri i Flamurtarit, Duro. Akuzon se nuk mjafton ndëshkimi me penallti, por ekipin e tij e gjymtojnë edhe me kartona për ta bërë sa më të dukshme antipatinë zyrtare ndaj tyre. Dhe fundja e fundit, kujt i qahet Shpëtimi në një lojë që nuk ka..shpëtim! Ne mund t’ i kemi harruar fjalët e forta të Sinan Idrizit në adresë të “mbretit” , por cili zyrtar apo arbitër do të harronte historinë blasfemuese me çorapet, pasaportat, me trukimin e njeriut të Asambelse, më parë se të mbërrinim tek ndeshjet…
Sfidanti. al