Duket se ka nisur një epokë e re suksesesh për një nga klubet më të mëdhenj të Shqipërisë, por duket se sezoni në vazhdim do të jetë i acaruar, me atë që u pa në Superkupën e Shqipërisë. Fitorja 4-2 e Partizanit i dha trofeun e dytë në pak muaj, diçka tepër e madhe pas 15 vitesh pa asnjë kupë, dhe 26 vitesh pa titull kampion, ndërsa nuk munguan nervat, grushtat dhe batutat.
Braun ishte heroi për një ekip tepër të ndryshuar, dhe ndaj të cilit po hidhnin shigjeta edhe tifozët, pas largimit të Ibrahimit dhe Mensahut. Sulmuesi shënoi 3 herë, duke bërë që ndeshja të dukej si finalja e Championsit të 2014-ës, kur Reali i shpëtoi humbjes ndaj Atletikos në minutën e fundit shtesë, dhe pastaj triumfoi 4-1. E tillë ishte ndeshja në “Elbasan Arena”, ku Kukësi e Shpëtim Duros ishte shumë pranë fitores.
Finalja “u pasurua” nga sherri në tunel mes Telushit dhe Rrocës, acarim që nisi që në fushë, dhe që u nda nga shokët për fat pa pasoja. Acarimet i vazhdoi trajneri i Partizanit, Franko Lerda, i cili nuk u përmbajt në intervistën pas ndeshjes, por u largua pas 5 pyetjeve, duke akuzuar gazetarin për tendencë dhe “monotoni” me pyetje të njëjta.
Për trajnerin kuksian, Duro, padyshim që vijnë ditë të vështira, sidomos në një klub ku mund të të largojnë edhe pas humbjes së një finaleve të vetme. Ai deklaroi se Kukësi ia fali Superkupën Partizanit, por kjo nuk besohet të jetë një arsye e mjaftueshme për presidentin Gjici. Për Duron pati shigjeta nga ish-kapiteni Shameti, tashmë i larguar, që shkruajti se “mos u mërzit Kuqo, ka ndeshje të tjera”. Reagim ironik edhe nga ish-trajneri Gjoka (që besohet e ka me Gjicin) dhe ish-lojtarin e kuksianëve, Çyrbjen.
Sfidanti.al