Futbolli ka humbur misionin, nuk vlejnë më pas pikët e as golat, kur shndërrohet në një lojë që nuk mban dot gjallë miqësitë e vjetra. Dhe ky nuk është futbolli i të gjithëve, por që dënon pak vetë, në rastin konkret, dy personazhe të njohur, që me sjelljen e tyre kanë zbritur kuotat në bursën e komunikimit. Fjala është për trajnerin e Partizanit, Starova dhe trajnerin e Flamutarit, Duro, dyshja që miqësinë e vjetër e çimentoi larg stolave të ekipeve, dhe tashme e kanë shndërruar në një betejë kotesie të pacipë, tepër e ushqyeshme për median…aspak gjellë e shendetshme per tifozin e gjorë.
Me gjuhën e futbollit, Duro e mundi “profesorin” e tij Starova në ndeshjen e fundit, madje disa thonë se ia vodhi bukur 3 pikët, tamam tamam tek pika e bardhë e penalltisë, aty ku shpesh hidhen zaret e fatit në lojën tonë. Por, të dy trajnerët bashkë, “bobi” dhe “kuqi”, siç kanë përkëdhelur njëri- tjetrin prej dekadash, me gjuhën e misionit të futbollit, janë dy humbës të mëdhenj, ku mosmirënjohja i turpëron të dy as më pak e as më shumë. Herën e fundit që u përballën si “fëmijë të perkedhelur”, këtë të premte, edhe mund të merret si shenjë shprese, madje emancipuese, nga komenti i ndërsjellë. Duro lakonik “ Nuk kam asnjë koment” , kurse Starova i provokuar më shumë, ka thënë: “Nuk jam unë që duhet t’i zgjasë dorën në Vlorë, sepse ai është zot i shtëpisë”. Sa më shumë i hedhin ujë zjarrit dy ish miqtë për të gjetur dritën në fundin tunelit ku kanë hyrë, si për kastile, aq më shumë provokohen nga të tretët për të ndezur armiqësinë, një ndjenjë që frymëzoka më shumë se sa miqësitë e heshtura që jetojnë në Superligë.
Sfidanti.al