Sllovenia dhe Sllovakia, leksione për Shqipërinë

Tashmë që zhgënjimi i eleminimit nga Euro 2024 është venitur pjesërisht dhe shqiptarët u janë kthyer halleve të përditshme që lidhen kryesisht me shëndetësinë, ekonominë apo turizmin, mund të bëhet një përmbledhje edhe më e ftohtë e asaj çfarë ndodhi në ditët e çmendura të Gjermanisë kuqezi. Tre ndeshjet i kemi pothuajse në kokë të gjithë, skenarin e plotë por pas asaj që ndodhi në fushën e lojës, mund të lexojmë mes rreshtave. Trajneri, ndryshe nga eleminatoret, tregoi mungesë të theksuar eksperience e këtë na i tregojnë të dhënat që vijnë nga skuadrat e kolegëve të tij, pak të njohur gjithashtum ndoshta të eleminuar edhe ata por me ndeshje të denja për njerëz me zemër të fortë.

Me çfarë mund të krenohet Sllovakia? Sigurisht që nuk e ka një Broja në ekip por ndaj Anglisë reflektoi futboll bindës që e çoi vetëm 30 sekonda larg çerekfinales. Po Sllovenia? Një kombëtare pa emra përveç Oblak por shumë kurajoze dhe e armatorur deri në dhëmbë me besim e dëshirë. Dy skuadra me trajnerë pa shumë peshë ndërkombëtare por të aftë për të ndërtuar skuadra të forta dhe fizikisht e taktikisht perfekte. Ndoshta edhe këto ndeshje mund të na bëjnë të mësojmë shumë sepse skuadra si Sllovenia apo Sllovakia sot janë të bindura që kanë dhënë maksimumin e potencialit të tyre e ky ishte fati i shënuar. A mund ta themi këtë për Shqipërinë? Me siguri që jo!

Nga Pirro Bardhyli