Sistemi që ha “koka historike”, vuri në gjumë edhe..Vllazninë!

Unë isha aty, mes 5 golave që bëmë bashkë në portën e Skënderbeut, por të keqen gjejeni tek Partizani! Nuk u thanë nga goja këto fjalë, sepse ka raste që flet gjuha e trupit. Kur presidenti Duka ka zbritur për të dhënë medaljet, i ka parë futbollistët shkodranë me një “keqardhje prindërore”, me një shikim që e njohin vetëm bashkëvuajtësit e tjerë historikë, të tradhëtuarit e luksit, Tirana, Partizani apo Dinamo. Vllaznia e pësoi dhe kjo  nuk është më pjellë e fantazisë apo e dashakeqësisë parashikuese. Kemi humbur Vllazninë, më shumë qytetin joshes, ku futbolli ishte menyra per të treguar krenarinë, lodrimin pa kufi me top dhe artin për të qënë të dashur dhe të simpatizuar nga  të gjithë.

Ky brez i fundit i klubit, ata që i dhanë shkelmin historisë,  do të kujtohen me damkë dhe per depresionin moral që shkaktuan, për një arsye parimore:  tradhëtoi  brezat që kishin talent në këmbë , në gjuhë, dhe në shpirt. Ishin shumë Sabah Biza, sa kudo që shkonin, në çdo stadium të vendit, priteshin si një shans dhe mundësi për defrim. Sa turp për këta të sotmit? Ndërsa bënin sikur  luanin në fushë, mëndjen e kishin patur tek arka e Bashkisë, atje ku u përqëndrua gjithë talenti dhe babëzia, duke thyer edhe dyert e “Ginesit” shqiptar, aq sa  dështimi u ngjit në lartësinë e frikshme të ..1.2 miliardë lekë. Por, futbolli shkodran, ai unikali, që ishte lozonjar  po aq sa humori shpotitës, nuk blihet me para, ndaj pengu më i madh, nuk mbetet tek ..dora që u parkua në xhepin e qytetit.

Kjo, Vllaznia, ky klub, kjo Bashki, dështuan me turp se nuk vazhduan lojën e paster të  të parëve, atë  që të gjunjëzonte me elegance në fushë, madje  duke qeshur, por kujtuan se në “kohët moderne”, ku futbolli nuk i përket publikut por shefave, mund të mbijetonin duke bërë një lojë tjetër. Të përulur ndaj pokerit të FSHF-së dhe skemës piramidale, të bindur verbërisht se ky sistem që mbahet në këmbë duke kullufitur “koka historike”, ..vetëm Vllazninë nuk do ta flakte…

Sfidanti.al