Ju kujtohet fraza e njohur filmike “ Na rrahin për hiçmosgjë..”, edhe në filmin e Superligës ..të rrahin dhe nuk të lënë të qash. Sidomos Tirana, këtë rolin e viktimës, në serialët e viteve të fundit, e interpreton me sy mbyllur. Edhe pas Derbit me Partizanin, Tirana u dënua më shumë se Partizani, edhe pse ishte organizator i ndeshjes. 4 ndeshje pa tifozë për bardheblutë dhe 2 ndeshje pa tifozë për “demat”! Ç’ne ky hendek dënimi, kur të dyja tifozeritë e shkrehën dhe e copëzuan Derbin me barut dhe tymnajë, me kapsola dhe fishekzjarre “lufte”?
“Komisioni i luftës”, siç ka qejf të mbiquhet Komisioni i Disiplinës, ka peshuar tymin, kapsollat dhe parrullat e Derbit dhe ..Tirana e humbi ndeshjen me gola, por “fitoi” Derbin me ..dënimet ! Nuk është rastësi : e vetmja ndeshja që sjell tifozë në stadium, dhe dënohen të dyja tifozeritë!
Kur flitet për stolat e shkulur, thuhet se do t’i gjejnë dhunuesit, sepse biletat ishin të personalizuara,me emra, kurse për dhunën, s’ka emra, …më mirë t’i dënojmë të gjithë bashkë. Stadiumet janë që janë të boshatisur, por Komisioni i Disiplinës ka detyrë të largojë edhe “kokrrat e fundit”…të tifozerisë.
Në fakt, dënimi më i madh do të ishte sikur t’i dënojë dy klubet, Tiranën dhe Partizanin, që t’i luanin ndeshjet plot e përplot me tifozë, sepse pa tifozë kanë vite që janë mësuar, aq sa thuhet se vetë luajnë, vetë..bëjnë edhe tifozin!
Sfidanti.al