Përveç faktit që këtë rradhë pushimet e dimrit ishin jashtëzakonisht të shkurtëra, gjithçka tjetër e futbollit shqiptar do të jetë fotokopje e copave të kampionateve të luajtura në vitet e fundit. Fillimisht është premtuar një merkato e shëndetshme dhe pothuajse për të gjithë pjesëmarrësit në garë Europa është në pragun e portës. Ndërkohë që askush nuk pyet më, se çfarë u bë me ato përfitimet e mëdha që klubet duhet të gëzonin nga qeveria dhe që do ta ndryshonin një herë e mirë futbollin shqiptar. Ishte ajo letra e famshme me katër pika që solli bojkotimin e fushës për javë të tëra, duke krijuar një precedent të panjohur për futbollin e kontinentit, por me të cilin u prezantua edhe Liga jonë e sapoformuar. Në fakt nuk ka ndodhur asgjë, vetëm ajo letra mund të jetë ende, por veçse nuk e tund më njeri, ndërkohë që edhe vetë Liga e Futbollit u tret në ujin e federatës dhe tashmë ekziston vetëm si nocion. Sipas statutit të ri të miratuar, si gjithmonë njëzëri nga vetë anëtarët e Ligës, institucioni i ri do të ketë një varësi totale nga FSHF dhe mund të mbajë vetëm zyrat në ambjentet e stadiumit të ri, por pa pasur mundësi të menaxhojë asgjë nga kampionati shqiptar. Kështu që tani le të flasim për merkato në këtë sezon raskapitës, ku viktima vazhdojnë të jenë futbollistët dhe trajnerët.
Merkato e kësaj periudhe në futbollin e vendit do të thotë që disave do t’i tregojnë derën, duke i vështirësuar karrierën, ndërkohë që trajtimi financiar ka qenë edhe më parë vuajtje më vete. Sot Dinamo do të prezantojë trajnerin e ri, në një kohë kur ai që drejtonte skuadrën historike nga kryeqyteti ka marrë drejtimin e Apolonisë, një klub që ka ndëruar aq trajnerë në këto 12 javë kampionat, sa është numri i gjysmës së pikëve që ka në tabelën e klasifikimit. Dhe nëse zgjidhet ky ekuacion i vështirë, presupozohet që e ke kuptuar se si funksionon futbolli shqiptar. Gjithçka është si një copë letër që e tund era, duke përfshirë këtu edhe pankinën që nuk ka qenë kurrë institucion. Pra presidentët do të vazhdojnë të hakërrehen nga tribunat, futbollistët dhe trajnerët do të varen nga melodia e arbitrave dhe Liga do të jetë gjithmonë pjesë e orkestrës së dirigjuar nga Duka.