Po të flasësh me gjuhën e basteve, Superliga ka prekur fundin e detit, kushton 500 lekë të reja çmimi i besimit , aq sa është tavani i lejuar nga kompanitë e basteve për të luajtur ndeshjet tona. Një çmim që shënon kulmin e mosbesimit, çelsi i “suksesit” që s’shikon më këmbë tifozësh në stadiume. Kjo që po ndodh edhe në javët e para të kampionatit, ku ekipet kryesore kanë “hapur portat” dhe të vegjëlit po tërbohen, duket si një skenar i ndonjë filmi që po pëlqehet më shumë në Azi sesa në Europë…
Skenari i fillimit të kampionatit është kurdisur sipas fabulës ku peshku i vogël do ta hajë të madhin, më pas do të ndërrohen rolet ..siç ndodhi edhe një vit më parë. Kjo që ngjet, është duke frymëzuar edhe më shumë teorinë se gjithë ekipet janë në të njëjtin thes në Superligë. Një thes i mbushur plot me fitore, por kur guxon ta futësh dorën brenda ..kap humbjen! Partizani i vinte vërdallë portës së Erzenit, sikur ta kishte të ndaluar ta shkrepte tamam në portë.
Pale Vllaznia në Rrogozhinë? Në Shkodër hedhin romuze si ngushellim për humbjen e paralajmeruar me bollek golash: “ Ishin betuar që nuk do ta pësonin golin e katërt dhe e mbajtën fjalën”. Po Tirana, kampionia prepotente e sezonit të kaluar? Në filmin serial të kampionatit,…këtë herë regjizori nuk i ka dhënë rol të dorës së parë…
Sfidanti.al