Ky Komisioni i ashtuquajtur i “Disiplinës”, por që në fakt mban gjallë dhunën, ka ardhur dita të dënohet edhe vetë! E keni parë ndonjëherë “çarçafin” e gjatë, pra listën e dënimeve, sa herë që mblidhet për të shkuar në “gjueti” ky komision…
Çfarë e ardhme na pret, kur shikon se më shumë të dënuar janë të rinjtë se sa “baballarët e tyre”. Ditët e fundit, dënimin më kapital e ka marrë Tërbuni i Pukës, të cilin e kanë zbritur një Kategori më poshtë. Çfarë mënxyre ka bërë, ndryshe nga të tjerët? Na thonë se ishin të pafalshme aktet e dhunës në ndeshjen ndaj Turbinës, por nuk na thonë pse kanë qënë të falshme rastet binjake të dhunës me ekipet e tjerë. Si mund të harrohet hapja spektakolare e Superligës, si në filmin një “kokë në tepsi”, u godit me shishe në kokë sulmuesi Seferi i Tiranës në ndeshjen me Kukësin!?
Atë ditë të “bekuar”, u dënua shishja dhe jo tifozët e dhunshëm, që orkestruan dhunën. Ndeshja Derbi , Partizani-Tirana, për shkak të dhunës së tifozerive u ndërpre aq shpesh, sa askush nuk e mban mend dot vetë ndeshjen. Edhe “çunat e Disiplinës”, e ulën pazarin me komandë sa numëronin stolat e prishur, kokat e goditura me kapsola u shpërfillën, ndonëse të dy portierët u shtrinë sa gjatë e gjërë në fushë, qysh me fillimin e Derbit.
E kanë emrin e ekipit “Tërbuni”! Kanë të drejtë të tërbohen në Pukë , se si ka mundësi në një futboll ku mund të luhet pa top, por jo pa dhunë, ata u pritën tek “gostia e dhunës”.. si cjapi tek kasapi!
Sfidanti.al