Rroftë finalja e shumëbujshme e Konferencë Ligës që do të luhet në Tiranë, sepse askush nuk po ai var javëve të fundit të Superligës! Të gjithë rrugët të çojnë në Tiranë për finalen e 25 majit, Roma-Fejnord, ama kur luhet Superliga..duket sikur të gjithë ia mbathin nga Tirana.. për në një botë tjetër futbolli! Në një botë që na qorton , sidomos tifozët e Fejnordit dhe të Romës, sepse paskemi stadiumin më liluput në Europë,ama kur luajmë vetë këtë Superligën tonë, Air Albania na duket si “Marakanë”. Si një stadium i madh, që s’mund të mbushet dot nga një futboll i vogël!
Për finalen e Konferencë Ligës po bëhen prova gjenerale në stadiumin “Air Albania”, për “finalen e Superligës” që do të mbyllet në mesjavë , prova më e dukshme ka qënë boshatisja e stadiumeve! Edhe kjo java e parafundit ka patur qokat e veta hokatare,ku tradhëtia më pikante ishte dorëzimi i Tiranës para Dinamos. Si mund të mbyllej kampionati, pa parë një flirt “ngazëllyes” mes ekipit kampion, Tiranës, dhe ekipit që donte të dilte kampion me fjalë, por me vepra ..u hodh nga dritarja.
Ka mëshirë kristiane në futboll, por ka edhe mëshirë tironse, si kjo për t’i dhënë Dinamos një ndjesi ngushëllimi, një ikje me “lavdi”, me një fitore që këputi zinxhirin e humbjeve. Dhe kur? Tamam në një ndeshje 90 “ballë”, ku ndodhi “apokalipsi” : ekipi që kish lënë amanetet, Dinamo, luante sikur ishte kampionia, ndërsa Tirana, aktronte me aftesi të limituar, rolin e një ekipi që i kishin ardhur në majë të hundës fitoret. Dhe kjo sakrificë, në emër të bamirësisë, që nuk u realizua dot Derbin e kaluar, kur ekipi kampion u dyzua dhe fitoi si me pahir, ateherë kur 3 pikët për Dinamon ishin..si 3 pika floriri dhe jo si këto… 3 pikë mëshire!
Sfidanti.al