Kur fitojmë i gëzohemi golave, kur humbasim i gëzohemi shifrave! Kështu ndodhi edhe me Italinë, kur na vodhi fitoren me ndihmën tonë, me ndihmën e dy kapitenëve që gabuan trafikun e lëvizjeve, tamam në momentin klasik për tanet.. Po ta shikosh edhe njëherë golin, Agollit i ka mbetur dopjo gjashta, por nuk është fajtor i vetëm. Një skenë e njohur në ekipin tonë, që nuk e ka për herë të parë kur habitet me dramën në fund dhe luan pjesën sikur e kanë vjedhur pa e ditur se e ka xhepin e madh.. Nëse do t’i kujtojmë golat që kemi dhuruar në versionin kuqezi, nuk ka dyshim se do të kuptonim se gabojmë në mënyrë të spikatur.Ndaj, kjo e fundit me Italinë, nuk është rrufe në qiell të pastër, prandaj mburremi me shifrat në mbrojtje , të cilat shërbëhen më shumë si karamele për të rregulluar gojën për trajnerin, sesa për publikun. Sipas statisitikave të ndeshjes në Shkodër, Mavraj dhe Agolli kanë krijuar binomin “fitues “ në repartin e mbrojtjes kur Mërgimi ka arritur të kalojë me pasime edhe mesfushorët tanë, kurse Ansi Agolli ka peshkuar më shumë topa se të gjithë mbrojtësit në 9 aksione italiane.
Koiçidencë fatale, apo nuk duhet të besojmë shumë tek shifrat, sidomos në këtë ndeshje, ku heronjtë e shifrave , vetëm për një moment, u tjetërsuan në binomin e gafës së shumëpritur për gjahtarët italianë. E kemi mësuar përmendsh skenën e golit, kur Agolli futet në qëndër për të korrigjuar mungesën e Mavrajt dhe pikërisht aty..fillon festa e Kandrevës. Për 7 palë qejfe, ka kohë dhe hapësirë të lodrojë me topin, para se të shpojë me force portën, në një ndeshje ku ishim besuar posaçërisht se do të gabonim ndonjë gjë të vogël meqë s’ jemi perfektë, por jo kaq trashë dhe habitëshëm siç ndodhi. Tani, kur dëgjon se Italia ishte e barabartë me ne, dhe na vodhi pa pikë turpi fitoren, s’ bëjmë gjë tjetër, veç dalim para pasqyrës kuqezi ,e cila ka aftësinë mashtruese, si disa pasqyra rrobaqepësish, që të tregojnë më të bukur sa je në të vertetë…
Sfidanti.al