Është e pritshme të ketë fobi ndaj të huajve në një ishull të veçuar të Italisë si Sardenja, me malet dhe pyjet e padepërtueshme të Barbaxhës, kur as romakët nuk ia dolën të sundonin. Njëlloj si në zona të thella të Shqipërisë, që nga brigjet malore të Jonit, Mirdita apo Dukagjini, edhe atje banorët kanë pasur shumë pak kontakt me të huajt, dhe padyshim mungesa e njohjes kthehet shpejt në urrejtje, një lloj instinkti vetëmbrojtës, edhe pse agresiv.
Romelu Lukaku me siguri nuk i di këto, dhe me të drejtë duhet të jetë ndjerë i ofenduar kur një pjesë e tifozëve të Kaljarit e tallën dhe e bënë “osh” me imitime e thirrje raciste. Sulmuesi i ardhur nga Mançester Junajtidit nuk pati ndonjë reagim të ekzagjeruar, thjesht u hodhi një vështrim tifozëve pasi shënoi me penallti, ndërsa kritika për publikun erdhën nga mbrojtësi Shkriniar dhe nga trajneri Antonio Konte. “Ne në Itali duhet të jemi më të edukuar, – tha Konte, – në Europë, njerëzit vijnë në stadium për të përkrahur skuadrën e tyre, jo për të ofenduar kundërshtarët”.
Trajneri i bëri nder vetë Interi, pasi televizioni i klubit, në mënyrë të habitshme harroi ta pyeste Lukakun për racizmin, pas ndeshjes, ndonëse britmat dhe thirrjet u dëgjuan fare qartë. Kjo sjellje natyrisht nuk do të largohet me një pyetje e me kritika, por gjithsesi sjellja e TV Interit tregon se në Itali ndoshta racizmi nuk quhet ndonjë problem i madh. Ky është realiteti, madje edhe në një vend të madh të Europës, s’ka rëndësi ta quajmë të mirë apo të keq, por thjesht realitet dhe të mos shohim ëndrra me sy hapur. Besohet, vetëm globalizmi do ta zhdukë këtë fenomen, ndonëse për momentin janë pikërisht pasojat e globalizmit që po e nxisin. Këtë e tregon fakti se në Kaljari, racizmi ndodhi në 2010 me Samuel Etonë, ndërsa së fundmi në 2017 me Muntarin, 2018 me Matyidin, 2019 me Moize Keanin dhe tani me Lukakun.
Sfidanti.al