Përse po “vdes” shumësportëshi?!

Shtëpia e vogël e shumësportëshit sot është po aq e vogël sa një pikë uji në gotën e madhe të sporteve shqiptare por…ka një “dritë shprese” që vjen jo nga Shqipëria por nga matanë Adriatikut dhe Uraleve. Lara Colturi, vajza nga veriu i Italisë, bijë kampionësh ka vendosur të përfaqësojë flamurin tonë. Shqipëria sot ka shpikur një formulë interesante, atë të huazimit part-time të kampionëve (dhe mirë bën). Nuk është vetëm vajza e talentuar e skive që po shkëlqen pasi edhe djemtë e mundjes janë po aq të suksesshëm edhe pse marketingu i bën më të shkëlqejnë më pak. Gjithë nderimet dhe respektin për këta kampionë që kanë marrë një vendim të vështirë në fund të ditës, por pyetja që lind këtu është: po kampionët “tanë”.

Dikur Shqipëria nuk trembej në shtangë, thyente barriera ndërkombëtare në volejboll e basketboll. Ku janë sot njerëzit tanë të shumësportëshit? E fundit e Mohikanëve, Luiza Gega na ka lënë trashëgiminë por për fat të keq shëmbulli i saj mesa duket nuk ka frymezuar askënd sepse Shqipëria sot po rrit një brez apatik të mbrujtur nga veset dhe shembulli më i keq I drejtimit që po ju bëjmë federatave. Reformat po mbeten vetëm në letër ashtu si drejtuesit e tyre që objektiv kanë vetëm karrigen që më vonë e përshtasin në një kolltuk të rehatshëm. Përse? Sepse në pronën e tyre janë “vetë Zot e vetë shkop” dhe gjasat janë që askush të mos shkulet nga poltroni i ngrohtë që aq mirë iu rri pas shtatit.

Sfidanti.al