Paska edhe turp Superliga : java e fundit,   struket të ..mërkurën !

Ndeshjet e fundit të kampionatit, ato që priten ti ngjajnë gotës që tundet për të ngritur llumin sipër, do të luhen në mesjavë dhe jo në fundjavë. Siç duket kemi filluar, pikërisht në fundin e fundit, të tregojmë kujdes për të mos bërë pis të shtunën dhe të dielën.  Kemi përjetuar festat kampione në gjithë Europën, kemi qarë bashkë me ta kur largohen nga fusha futbollistë heronj, dhe po bëhemi gati të qajmë me peshqir në kokë fundin e kampionatit tonë, atij që mburret me paudhësitë e tij, mburret  që stadiumet i ka boshatisur në mënyrë unikale, mburret që s’ka burrë nga UEFA apo qoftë edhe më lart, që të ndalojë çmendurinë e pazareve deri në çastin e fundit. Një vit më parë, kur patëm përjetimin më tragji-komik në ndeshjen finale Skënderbeu-Kukësi, me naivitetin tonë të pashtershëm kemi thënë: “ Sido që të ndodhë, kampionati që do të vijë do të jetë disi më ndryshe..”

Me ato që na kanë parë sytë, dhe që kemi dëgjuar dhe do të dëgjojmë deri në fundin e përrallës mjerane me top, ky kampionat që po mbaron, i jep ujë në bisht të lugës , atij që mbahej për më flagranti.  Të mërkurën, dhe jo të dielën, është dita më e merituar për të ndjekur aktin e fundit, aktin e tradhëtisë së fundit që ofron Superliga, kjo minierë e pasur me antifutboll, ku spektakli me lojën e gënjeshtërt është unikal dhe golat vetëm formëzohen në fushë, sepse më parë janë shënuar nëpër tavolina.  Ky është futbolli për të cilin kemi investuar, ndaj edhe jetohet si normale arratisja masive nga stadiumet, apo golat që i shënojnë ata lart dhe bëjnë sikur gëzohen..këta poshtë, futbollistët.

Si s’po vjen kjo e mërkura, një padurim që lidhet me pyetjen fatale: po Skënderbeu do t’i hapë këmbët me Vllazninë për të festuar me “lavdi” titullin apo Partizani me Kamzën e kanë mbaruar ndeshjen ende pa u luajtur…

Sfidanti.al