Partizani nuk mund të shkojë në “luftë”

Nëse sot të gjitha skuadrat e Superiores do të thirreshin në “luftë” me siguri që Partizani nuk do të rreshtohej dot mes tyre dhe ky është një sinjal shqetësues për tifozët  kryesisht pasi drejtuesit duket se janë në një gjumë të thellë e nga ky vesh nuk duan të dëgjojnë. Konstatimi është shumë i thjeshtë duke e krahasuar skuadrën e kuqe sot me 9 ekipet e tjera të elitës së futbollit shqiptar ku të gjithë. kush më pak e kush më shumë, mbeten të angazhuar dhe në dukje të shqetësuar për fatin e tyre e për këtë luftojnë çdo javë. Egnatia kërkon me çdo kusht vendin e parë, Dinamo të ruajë pozitat, Vllaznia gjithashtu dhe pjesa tjetër në një betejë të ashpër për mbijetesën. Përjashtim nga ligji bën vetëm Partizani, një skuadër pa nerv dhe në rënie të lirë. Të paarmatosur, partizanët e Abilaliajt janë sot skuadra më e painteresuar për të luajtur futboll aq sa mund të vënë në dyshim edhe objektivin minimal, pjesëmarrjen në “Final Four”. Elbasani është vetëm 4 pikë larg dhe sot më shumë se kurrë pranë ëndrrës. Nëse Partizani ku “gjithollogët” japin mend për çështje që nuk kanë aspak lidhje me futbollin, do të vijojë me këtë trend, atëherë kështjella e kuqe do të rrëzohet brenda një sezoni të dështuar në çdo aspekt.

Nga Pirro Bardhyli