Giroud: Momentet e jashtëzakonshme me kombëtaren i ruaj në zemër

Olivier Giroud foli për gazetën franceze “Le Parisien”, pas nderimeve që iu bënë në “Stade de France” përpara ndeshjes Francë-Kroaci. Bomberi historik i “Gjelave”, ish-sulmuesi i Milanit, ka deklaruar: “Është prekëse. Kemi jetuar momente të jashtëzakonshme, ato do të mbeten në zemrën time për pjesën tjetër të jetës, ju e dini se sa i lidhur jam me kombëtaren. Jam krenar për atë që kemi arritur, dua të falënderoj francezët për mbështetjen e tyre, veçanërisht në vitet e fundit.

Ndihem me fat që kam mundur ta jetoj këtë përvojë”. Në intervistën për të përditshmen e njohur, 38-vjeçari ka pasur rastin të ndalet edhe te figura e Zlatan Ibrahimoviç, duke shpjeguar se: “Mund të duket pak arrogant, por mbi të gjitha është një njeri karizmatik. Në një dhomë zhveshjeje, për shembull, ai shfaqet i vëmendshëm ndaj mirëqenies së grupit. Është shumë i kujdesshëm dhe njëkohësisht kërkues me veten dhe me skuadrën, sidomos me më të rinjtë. Zlatan është një forcë lëvizëse, një lider. Të bën një lojtar më të mirë”.

 

sfidanti.al