O babagjysh i futbollit, lëre të ikë Panuçin, mos na le pa “babuçin”!

Një ditë të bukur me “diell kuqezi”, trajneri i Kombëtares, Panuçi, ka thënë se është me fat që punon me një president inteligjent si Duka. Dhe kur i tha këto fjalë plot sheqer italian? Kur të gjithë e drejtonin gishtin e fajit vetëm nga Panuçi dhe jo nga “Babuçi”, menaxheri i talentuar i trajnerëve pa talent. Ndaj skeptiket pyesnin me habi, por dhe me dyshim : mos vallë presidenti është i kënaqur me ato që ka bërë trajneri, edhe pse populli i futbollit ka kohë që ka dalë në “protestë”? Akoma nuk dihet se cila është e vërteta e binomit të dashurisë, por, kur këto ditë ka dalë në qarkullim, me sukses, lajmi se Panuçin kërkon të na e “vjedhë” Roma, duket sikur dyshja president-trajner po kombinon sipas skemës…
Nuk është pa qëllim, kur Panuçi në foton e botuar është kapur duke bërë një finte joshëse, nga ato që pak kolegë të tij nëpër përfaqësuese do të guxonin t’i bënin topit një tokëzim kaq të ëmbël. Kjo tregon se Panuçi me topin mbetet një kristian më i besueshëm, sesa kur pwrbetohet se “ nuk po na e dredh me Romën”. Si mund ta bluaj një arratisje të tillë, edhe pse ka privilegjin e madh që kur dështon si trajner, disa nostalgjikë përdorin si lëvozhgë kohën e artë kur ka qënë “roje zvicerane” tek porta e Milanit. Dhe në anët tona, përrallat me emra të mëdhenj në fushë, të cilët bëhen liliputë në stol, mbeten gjithnjë të preferuara. Edhe në kohën e holandezit Han, një nga dështimet më të suksesshëm kuqezi, nga dashuria e madhe për futbollistin, duke harruar vlerën e trajnerit, numëronim me zell në rrugë 40 apo 41 hapa, për të kujtuar dhe nderuar golin historik të Hanit në portën e Zofit …

Sfidanti.al