Kur ka konkurruar për president Rudi Vata, antifutbolli ka triumfuar frikshëm ndaj futbollit, gati në një mënyrë fatale ! Vetëm një votë për ish-kapitenin më me peshë të Kombëtares, si për të dëshmuar katërcipërisht se futbolli që luhet me topin është orbitë tjetër dhe ai ai që luhet me votën të dërgon në ferrin e futbollit. Kanë kaluar shumë vite, por kujtimin e asaj mbrëmjeje histerike (më shumë sese historike),të asaj Asambleje që e mbajnë gjallë edhe me disa anektoda helmuese, ku njëra mbi të tjerat dominohet nga ligësia zyrtare : Rudi Vata nuk mori as votën e vet!
Kur vjen Asambleja, arti i trukimit ngjitet në altar dhe lë në bisht edhe një nga ato ndeshjet e flamura që katranosëm në Europë, për të cilat u dënuam 10 vite. Kur vjen Asambleja “çunat e dorës në allçi” mund të linin pa asnjë votë edhe vetë Demollarin, i madhi që mban emblemën e talentit më të ngazëllyes, por që bëhet shumë i vogël kur thotë pa teklif se “presidentin Duka nuk e largojnë dot, vetëm nëse largohet vetë..” Dhe Rudi Vata me Demollarin, që ishin aq sublim dhe prestigjoz kur luanin për Kombëtaren, në kohën e sotme, duket sikur botëve të ndryshme. Kur flitet për të thënë të vërtetën e madhe, talenti shkon nga Vata dhe Demollari do të tretej në një futbollist të zakonshëm, madje “ithtar ” i diktaturës..
Pse burrat e futbollit dorëzohen totalisht, ngrenë duart dhe këmbët, kur vjen Asambleja e votës së tredhur? Përgjigje mund të jepen shumë, por dëgjoni çfarë ka thënë këto ditë Rudi Vata, ai që “nuk mori as votën e vet” : “Në ditën e Asamblesë njerëzit ishin si nëpërka. Më ka zhgënjyer mashkulli i futbollit që nuk mund të bënte dot burrin..”
K.Shabani