Kjo foto është emblematike! Tri bomber golash dhe një “bomber” gjëmash. Cilët janë ? Sipas radhës në foto : Bonjek, presidenti Duka, Saviçeviç dhe Shevçenko. Tre sulmues të klasit botëror, që kanë bërë historinë e futbollit dhe një “sulmues i fshehur”, si hudhër mu në mes tyre, që bën gola të padukshëm dhe po lë gjurmë të mëdha, në sensin tjetër të historisë së futbollit. I largoi njerëzit nga stadiumet, e bëri Derbin për t’u prehur në ..Tufinë, i dha kampionatit një skemë vdekjeprurëse “Final 4”…
Ku janë bashkuar për këtë foto tri mosketeirët e golave dhe “D’Artanjani ynë” marifeteve pa..top?? Në Itali me rastin e rizgjedhjes president të “plakut Gravina” , që në gjithë atë Itali të madhe dhe të bukur, nuk gjeti që nuk gjeti dot një rival për fronin. Vëndi i Del Pieros dhe Baxhove , dashka më shumë një “kryeplak” në majë të futbollit…
Kur u bënë zgjedhjet në Shqipëri, e kishte radhën Gravina për të bërë qokën e fronit “plakut tonë” , presidentit Duka. Dhe fjalët që solli nga përtej Detit ishin si një llokum Italian, që pasi e provon harron që stadiumet i kemi drangull fare, as nuk e mban mend që ndeshjen e vetme të gjallesës “Derbin” e kemi çuar të prehet në Tufinë, pale atë skemën idiote të kampionatit “Final 4”, e cila nuk të lejon të dalësh kampion gjatë vitit , sepse titulli do të luhet brenda një ..nate të çmendur !
Sfidanti.al