Nga zgjedhja e Dukës, në kaosin e stadiumit të Fushë Krujës!

Jo shumë larg që këtu, në një hotel luksoz të Romës, kreu i futbollit shqiptar, Armand Duka, fitoi një post të rëndësishëm europian, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Në të njëjtën kohë që në kryeqytetin e Italisë, votohej e duartrokitej, në një stadium të vogël shqiptar në Fushë Krujë, një sportist hynte duke kërcyer nga gardhi e bënte stërvitje individuale, duke mos qenë as lojtar i Ilirisë vendase.

Në stadiumin pak më sipër, atë të Krujës, punimet nuk kishin nisur ende, ndonëse skuadra e qytetit, Kastrioti, vazhdon të luajë si “emigrante” që prej fillimit të sezonit. Në stadiumin krutan, “futbollin” po e luajnë helikopterët e “luftës kundër drogës”, që nuk dihet sesa njerëz mendojnë se po ndihmojnë këtë vend të shpëtojë nga ky kancer.

Në një kohë që kreu i futbollit shqiptar ngjit shkallët europiane, në Fushë Krujë apo edhe në stadiume të tjera, njerëz “VIP” (nënkupto, të fortë) lenë makinat sipas dëshirës duke bllokuar rrugën për mbërritjen e autobusëve të skuadrave, me lojtarët që detyrohen të ecin në këmbë, për turp, dhe të jenë në rrezik për t’u sulmuar nga cilido njeri agresiv aty pranë.

Edhe me Dukën si anëtar të Bordit drejtues të UEFA-s, policia shtetërore e private, në shumicën e (“desha me thënë”) qyteteve të Shqipërisë (nuk) do ta bëjë detyrën, pasi në shumicën e këtyre qyteteve njerëzit janë ose kushërinj, ose krushqi, ose shoqëri.

Duke u kthyer tek ai sportisti që stërvitet ilegal në Fushë Krujë, e pra kjo ndodh sepse krerët e bashkive i shohin stadiumet si pronë të tyre private, jo si pronë e banorëve të qytetit, të cilën ata kanë marrë mandat për ta ruajtur e për ta zhvilluar. Kjo do të thotë se në stadiume, mund të mos mbrohet skuadra mike, por mund të bëjë ç’të dojë djali i shokut dhe i mikut.

Problemi më i madh në këtë vend është se pushteti shihet si trofe për t’u arritur me çdo kusht, dhe Duka mburret se ka fituar në mënyrë të paprecedentë 5 mandate. Duhej të ishte ndryshe, që njeriu të zgjidhej me kusht për të mbrojtur futbollin, jo thjesht në kompromis me ata që e kanë shkatërruar natën dhe që e qajnë ditën.

Sfidanti.al