Disa kohë më parë, UEFA i dorëzoi autoriteteve greke një listë me 41 ndeshje të dyshimta në kampionatin vendas, dhe tani rezultati është dënimi me burg për disa. Plot 58 njerëz të lidhur me futbollin u dënuan nga Gjykata e Arbitrazhit në Athinë për skandalin e trukimit të ndeshjeve të vitit 2011, të mbiquajtur “Koripolis”.
Mes të dënuarve, edhe dy presidentë, ish-bosi i Asterasit të Tripolit si dhe presidenti aktual i Olimpiakosit të Volosit, Akiles Beos. Ish-kryetari i Bashkisë së Volosit do të vuajë 4 vite burg. Natyrisht, jo çdo gjë është “nga fitorja në fitorje” për drejtësinë dhe futbollin grek, pasi u përfol se në skandal ishte përfshirë edhe Olimpiakosi “i madh” i Pireut, por presidentit më të fuqishëm në Greqi nuk i hyri gjemb në këmbë.
Veçse, nëse në Greqi ka gjyqe dhe burg, në Shqipëri ka vetëm tribunë VIP. UEFA ka një listë të gjatë me ndeshje të dyshuara, por as FSHF dhe as drejtësia nuk kanë nisur ndonjë proces “Koripolis”. Në çdo vend ku diskutohet për futbollin në vendin tonë, thuhen hapur emra dhe klube “të stazhionuar” në aktivitete të tilla të dënueshme, veçse asgjë nuk depërton në instancat që duhet të marrin vendim. Jo vetëm kaq, por me tallje thuhet se “prokurorët na kërkojnë t’u gjejmë ndeshje “të bëra” që të fitojnë ndonjë lek”.
Sfidanti.al