Na gjeti belaja ! Një herë e mbyllim “kioskën” e  kampionatit.. një herë e hapim!

E mbani mend kohën e bojkotit apo e kemi harruar sipas zakonit  shqiptar  “harro dhe shiko para, mos e kthe kokën pas”.  Le ta thyejmë këtë “rregull” dhe të kujtojmë ditët  e budallëkut më të spikatur të këtij sezoni, kur futbolli lidhi këmbët e veta me litar dhe shteti , ose më mirë  rapsodi  i pari i tij, zoti Rama, ia  këndonte futbollit dhe shefit të tij : “Vare veten me litar, O Dino!”

Ato ditë mbeten të paharruara për shumë arsye, por njëra ka hyrë me meritë  në  “Ginesin” tonë : na marrtë të keqen futbolli, nëse nuk takohen kokë më kokë zoti Rama me presidentin Duka!  Mirë që dogjëm 2 muaj dhe zotat nuk u takuan që nuk u takuan, por ç‘ishte ajo batutë e tepruar e zotit Rama kur tha : “Futbolli e keni bërë si kioskë, një herë i ngre qepenat dhe një herë i ul qepenat..”

Tamam këto ditë, sepse na u kujtua historia e kioskës! Sebep u bë humbja e Vllaznisë me Laçin dhe vërshimi nëpër rrugët e Superligës i lajmit te bujshëm se ..kampionati u rihap! Disa javë me radhë   ishte mbyllur  dhe “çelsin” e kioskës i kishte  vetem  Vllaznia, aq sa  gati të gjithë bekonin fatin të gjenin se cili ekip do të zinte vendin e dytë, se i pari e kishte marrë uratën..Sapo humb Vllaznia, pa u tharë akoma vula e arbitrit në protokollin e ndeshjes,  të gjitha lajmet, sikur t’i kishte bërë e njëjta dorë dhe mendje,  kishin të njëjtin kumbim: O Laçi, të falenderojmë,  kampionati u rihap përsëri!

Hapet dhe mbyllet kampionati ynë , si një “kioskë” me orar të komanduar nga sipër, si një fizarmonikë që lodron më shumë me fatin e skuadrave  se sa me tingujt e lojës! Mos u habitni këto dy javë, nëse Vllaznia hedh në tapet  dy kundërshtarët  “liliputë”(kështu duken  në fushën prej letre), Skënderbeun dhe Apoloninë dhe klasifikimi thellohet përsëri,  do të dalim nga ana tjetër e banakut të kioskës dhe do të themi: sa mirë ishim kur kampionati ishte i hapur, kjo Vllaznia na e mbylli prapë….

Sfidanti.al