Momenti për t’i besuar vazhdimësisë

Dinamo dhe Partizani mbyllën një sezon me dritëhije dhe me shumë të rinj në fushë duke i vendosur kapakun pas 38 javëve shumë të ngjeshura dhe impenjative. Të kuqtë e vendit të tretë ashtu si edhe “nëndetësja blu” kanë siguruar Europën edhe pse synuan finalen e madhe për të rikthyer titullin në kryeqytet. Gjithsesi, ky sezon nuk mund të konsiderohet një dështim as për Dajën dhe aq më pak për Gegën ku i pari riktheu Dinamon te një trofe pas dy dekadash ndërsa i dyti e mori drejtimin e skuadrës në një moment delikat të sezonit. Tashmë topi kalon në këmbët e presidentëve Bardhi dhe Demi, të cilët janë treguar pak racionalë në ygjedhjet e tyre gjatë viteve të kaluara por me siguri, të dy drejtuesit e stolit meritojnë t’i vazhdojnë projektet respektive, përndryshe sakrifica e një sezoni të vështirë dhe mësimet që morën të dy nga gabimet e bëra, mund të shumëzohen me zero dhe ky do të ishte një gabim i madh.

Nga Pirro Bardhyli