Më mirë në podiumin e dhunës apo të 9-tët në botë me Liza Gegën?

Kemi një lajm të mirë dhe një lajm të keq! Për natyrën tonë, lajmi i keq është më i bujshëm, më spektakolar se sa lajmi i mirë. Madje, lajmi i keq që na duket  edhe  si lajm i mirë, është se ndeshja derbi ose dhuna e Derbit,  i ka kapërcyër kufinjtë dhe fotot e gjakosura të tifozëve që  “vrasin” në emër të futbollit kanë bërë xhiron e botës. Lajmi i mirë është se Luiza Gega, atletja stoike që sfidon edhe kushtet mjerane në  tokën  ku stërvitet, ka zënë  vendin e 9-të në Botërorin  e Dohas ne Katar. Dhe  pyetja është  e pamshmangshme, disi   fatale: më mirë ndër të parët me dhunë apo të 9-tët në një garë vrapimi? Kemi dhënë prova se vuajmë prej kohësh nga sindromi i lavidsë  së podiumit, na pëlqejnë triumfet edhe sikur të jenë të falsifikuara, ndaj edhe në këtë rast bëmat e sportit që jeton “Lizën në botën e çudirave “ na shkaktojnë më shumë adrenalinë se sa vetë Liza e vetmuar e atletikës…

Ky derbi i fundit na paska ngjitur me meritë në podin e dhunës! Kur lajmet nga bota nuk japin kronikën e ndeshjes, as golat që lindën nga 90 minutat, as nuk duan t’ia dinë se fituesi dhe humbësi kanë 5 vite që nuk ndryshojnë stil , madje u duket pa rëndësi dhe ajo banderola me njerëz të varur, sepse e gjithë intriga është tek beteja për të gjakosur kokat. Një luftë, akoma pa të vdekur, gjoja në emër të armiqësive të futbollit, që zbulon frikshëm agresivitetin e një kategorie adoleshentësh. Po përse ky tërbim? Në emër të një futbolli që na dënon skajshëm  në Europë, por më e keqja ndodh brënda shtëpisë, ku dënimi është edhe më i madh, sepse  rreziku për jetën shitet si ngjarje e domosdoshme për vazhdimin e serialit të  Derbit..

G.Sinemati

Botuar ne Panorama Sport