Në një prej intervistave të preferuara të fundvitit, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, bëri një lajmërim në formë batute, por që i intereson shumë që të tjerët ta trajtojnë si të vërtetë unikale: Vetëm Zoti e pengonte të ishte në krye të institucionit. Por në këtë rast nuk mund të ndysh Perendinë, qoftë edhe me prezencën në këtë afer që kutërbon. Kjo është thjeshtë punë e robit, madje specifikisht e atyre lloj njerëzve që refuzojnë me të gjitha mënyrat të ndahen nga një pushtet i leverdisshëm që e kanë ndërtuar vetë. Të shtunën afër mesditës, u mblodh Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së dhe me një frymë caktoi datën 7 shkurt, kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithëshme, ku do të njihemi me presidentin dhe strukturat e tjera… pra një muaj më pas. Kaq kohë kanë kandidatët që do të tentojnë pozicionin e Dukës. Vetëm 30 ditë, për të fituar një mandat 4 vjeçar. Dikush e quajti lëvizje, dikush tjetër marifet dhe kjo ngjan më shumë me të vërtetën, por në fakt ishte qartësisht një hile, që meriton të paktën një reagim publik. Të gjithë e dinë se Federata e Futbollit është tashmë shembulli se si funksionon një institucion i kapur, i vënë nën diktaturë, një strehë ideale qylaxhinjsh. Nuk ka më gjyqtarë jashtë kornizës, komisione ndëshkimi apo apelimi jashtë tutelës së kreut, nuk ka më as surpriza në verdiktet e aktiviteteve që arganizon, pra nuk është më as institucion, por thjeshtë një pronë private… një stan me pula të lagura.
Ndërsa tani nuk do të lejohet më as garë, kështu që mbledhja e fundit e Komitetit Ekzekutiv, praktikisht nuk kishte qëllim caktimin e datës së Asamblesë Zgjedhore, por vetëm për të njoftuar se kjo Asamble tashmë është zhvilluar dhe presidenti do të jetë pronari aktual i futbollit. Po ata anëtarët e tjerë të Komitetit, gjithë ata burra me personalitet, duhet të kenë bërë sadopak debat, gjatë asaj mbledhje hermetike që doli me një vendim të lajthitur? Tani hyn Zoti, që mos e thëntë ta ketë nxjerrë njeri zërin e gojës, pasi në mbrëmjen e datës 7 shkurt, vendin e ka të sigurtë vetëm presidenti, ndërsa këta anëtarët e Komitetit do të zgjidhen sipas shijeve të tij. Por nuk është vetëm koha shumë e kufizuar për fushatë, ajo që punon kundër kandidatëve të tjerë të Armandos. Nga 66 mandate që nxjerrin presidentin e ri, ai burri ka 12 vota në xhep. Këto përfaqësojnë disa shoqata, ca prej tyre me zyra ngjitur me të tijën, ndërsa të tjerat të sajuara në terren. Kjo po që është dora e Zotit, ndoshta jo aq spektakolare sa goli i Maradonës, por po aq e pandershme dhe fituese.