Është momenti ideal për të kujtuar anektodën me dy astronautët që kur po shkonin në Hënë, panë poshtë në Tokë se po luhej një ndeshje futbolli. Amerikani e pyet rusin, cilët ekipe mund të jenë ato që duken si miza nga anija kozmike. Përgjigja e rusit ishte : Unë nuk di se cilët janë ekipet, por mund të them me siguri se njëri nga trajnerët është serb! Morali është i qarte: trajnerët serb janë shkollë e njohur në futboll, madje “nxënësit” e saj shkëlqejnë edhe në kampionatin tonë. Edhe pse nuk kryeson garën me pikë, Luftëtari i trajnerit Milinkoviç është në krye të klasifikimit për lojë më stil dhe elegance impresionuese. Ndaj edhe qyteti i Jugut e shpalli “ njeriun e vitit”, duke i dhënë trofe nga bashkia e qytetit. Një trofe për një trajner që edhe pse është i huaj, duket sikur ka gjurmuar në vite trashëgiminë stilistike të një skuadre që i kap në gjumë kundërshtarët.
Gjirokastritët e futbollit nuk flasin shumë nëpër gazeta, nuk e dinin as vetë se do të bëheshin personazhet më të dashur, madje më të dashur edhe se ata që pretendojnë titullin, Kukësi, Skënderbeu dhe Partizani. Lodrojnë me topin dhe duket qartë se trajneri serb Milinkoviç i dërgon në fushë për t’u argëtuar dhe jo për të mbrotjur portën. Janë imponuar kaq me lezet, sa emrat e Bregut, Abazajt dhe Rexhinalos, një treshe fatlume që edhe pse nuk zotëron akoma formulën e fitores, ndezin shumë kureshti kur sajojnë trille me topin. Në një kampionat ku sulmuesi shikohet me lupë si qënie në zhdukje, 3 “kaçatorët” e Luftëtarit kanë treguar se flirti me topin vjen edhe nga poshtë renditjes. Për gjysmën e mbetur të garës, frika më e madhe e trajnerit Milinkoviç ka të bëjë me euforinë dhe përkëdhelitë e shumta që spërkasin ekipin. “Ju nuk jeni as Mesi e as Ronaldo, ndaj duhet të luani sa më thjeshtë dhe me zemër”- këto fjalë të trajnerit kumbojnë akoma, ndofta edhe për gjysëm tjejtër të garës, ku Luftëtari nuk dihet se sa pikë do të mbledhë, veç një gjë dihet mirë, shfaqen në fushë të çlirët dhe të shpenguar. Të atillë, sa shumë tifozë nostalgjikë krijojnë lidhje gjaku me brezin e paharruar te Brahos dhe Bonit, një brez që meriton të kujtohet edhe për vlerat përtej botës së topit.
Sfidanti.al